Edhe kufiri Kosovë-Shqipëri i bllokuar nga kamionët serbë, nuk po lejohen të hyjnë

Për shkak të ndalesës së hyrjes në Kosovë të kamionëve me targa të Serbisë dhe mallrave me origjinë serbe kamionët janë të bllokuar në anën e kufirit me Shqipërinë në Morinë.

Disa nga kamionët janë në kufi prej tre ditësh pasi u është ndaluar hyrja.

Kontrollet e sigurisë janë shtuar në pikën kufitare, ku për pasojë kolona e mjeteve transportuese është e gjatë.

Kolonat në kufi u shtuan pasi Qeveria e Kosovës bëri të ditur se, për arsye të sigurisë, janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 15 qershor se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”.

Kurti këto komente i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, e cila u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe financave të Kosovës, pasi një ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit.

Lexo edhe:  Vendoset kryqi i parë në Podujevë, mbi të flamuri kombëtar