Kryqi i Kuq flet me familjarët e policëve të kidnapuar, kjo është gjendja shëndetësore e tyre

Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë së Kosovës në një intervistë për FRONTAL të T7 ka thënë se Kryqi i Kuq ndërkombëtar ka komunikuar me familjarët e tre policëve të Kosovës që janë rrëmbyer nga Serbia dhe kanë dhënë informacione se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

“Jo, në realitet jo. Sepse është procedurë hetimore. As ne s’kemi mundur të kontaktojmë me ta. Ata kishin marrë informacione nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar. Kryqi i Kuq ka kontaktu me disa familjarë dhe kanë treguar se gjendja e tyre është e mirë. Informacionet i kishin marrë nga Kryqi i Kuq. Gjendja e tyre është e mirë dhe i kishin njoftuar familjarët”, ka treguar Zeqiri, duke treguar se s’kanë arritur të kontaktojnë përmes telefonit

Ai ka treguar se njëri nga policët ka një sëmundje kronike dhe se Kryqi i Kuq ia ka siguruar edhe barnat.

“Njëri nga ata kishte sëmundje kronike dhe ata i kishin ofruar barnat”, ka thënë ai tutje.
Zeqiri thotë se vizitën e sotme tek familjarët e kanë bërë ne emër të Sindikatës dhe takimi ka ndodhur para vendimit të gjykatës serbe për caktim të paraburgimit.

“I vizituam në emër të sindikatës anëtarët e familjeve të tre policëve. Shqetësimi është edhe tek ne edhe tek familjarët. Mirëpo edhe ata qëndronin, përkundër dhimbjes dhe shqetësimit, qëndronin krenar, sepse e dinin pse dhe si janë rrëmbyer familjarët e tyre. Ne jemi betuar për të mbrojtur rendin, qetësinë dhe integritetin e vendit”, ka theksuar ai ndër të tjera.

Lexo edhe:  Hetem Ramadani: Njerëz pa shkollë, njerëz prej mali e pushke erdhën nëpër pozita