Hajnat thyejnë një banesë në lagjen Dardania, vjedhin mbi 1 mijë euro para të gatshme dhe ari në vlerë të 5 mijë €
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në një banesë në lagjen Dardania në Prishtinë, ku hajnat kanë vjedhur para dhe gjësende me vlerë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se vjedhja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme dhe është denoncuar nga pronari i banesës, i cili ka raportuar se hajnat kanë vjedhur mbi 1 mijë euro para të gatshme dhe stoli ari në vlerë të 5 mijë eurove.
Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve, hajnat kanë depërtuar me forcë, duke e thyer dritaren, me ç’rast kanë arritur të kryejnë vjedhjen.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.