Vrasje në tentativë në Drenas, theren me thikë dy persona – njeri nga ta në gjendje të rëndë
Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Vazhdimisht raportohen raste në Polici, por edhe nga qytetarët për rrahje të cilat në shumë raste kanë përfunduar tragjikisht për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit e mjeteve të mprehta. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur edhe mbrëmë në Drenas, ku si pasojë e një përleshjeje me thika, kanë mbetur të plagosur dy persona.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas kanë bërë me dije se viktimat janë dërguar atje me plagë të shkaktuara nga goditjet me thikë dhe për shkak të natyrës së lëndimeve janë transportuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, njëri nga viktimat ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe po vazhdon trajtimin nën përkujdesjen e stafit mjekësor.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar thikën që dyshohet se është përdorur ndaj viktimave.
Po ashtu është arritur që të arrestohen tre të dyshuarit të cilët janë të moshave të mitura dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.