Muja kampion në Belgjikë: U rrita në rrugët e Kosovës, e ëndërrova këtë ditë
Sulmuesi kosovar Arbnor Muja është shpallur kampion me Antverpin në Belgjikë, në sezonin e tij të parë me këtë skuadër.
Ai ka shprehur emocionet e tij të mëdha përmes një postimi në “Facebook” në të cilin ka luajtur rrugën nëpër të cilën ka kaluar deri sa ka arritur në këtë pikë kaq të rëndësishme të karrierës së tij.
Ai ka kujtuar momente nga shkolla fillore në Kosovë duke thënë se gjithçka filloi duke luajtur futboll me shokët e lagjes së tij, transmeton lajmi.net..
“Mes këtyre dy fotove, ka shumë vite, por edhe shumë emocione. Dua ta ndajë me ju momentin më të madh të karrierës sime duke e bashkangjitur me një kujtim nga shkolla fillore. U rrita në rrugët e Kosovës, duke luajtur futboll me shokët e lagjes, jetoja vetëm me një qëllim, të bëhem futbollist profesionist, të luajë në arenën ndërkombëtare, të jem sikur ata në televizion, por të jem kampion në një shtet evropian, se kam menduar kurrë. Çdo ditë punova fort dhe besova edhe pse shumë herë u theva nga pikëllimi. Se plani i Zotit është më i miri për ju, e dëshmova me karrierën time.”, ka shkruar Muja.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim, duke përfshirë edhe veten e tij.
“Të gjithë ju që më përkrahët, ju faleminderit. Faleminderit familjarëve, shokëve, juve sportdashës, të gjithëve. Dhe për fund, dua ta falenderoj vetën! Faleminderit Arbnor, që nuk e lejove vetën të mposhtësh kurrë!”, ka shkruar në fund Muja.