Situata në veri, Policia: Në Leposaviq akoma po vazhdojnë të qëndrojnë disa protestues

Policia e Kosovës në një komunikatë për media ka njoftuar se sot gjatë ditës situata në veri të vendit ka qenë e brishtë, por kryesisht e qetë, me përjashtim të komunës së Leposaviqit ku kohë pas kohe ka pasur edhe tensione, komunë kjo në të cilën akoma po vazhdojnë të protestojnë disa qytetarë.

Sipas Policisë, grupet kriminale serbe kanë penguar dhe sulmuar me gjësende të ndryshme e të forta gazetarë të mediave të ndryshme.

Nga këto tensione nuk munguan as dëmet material, ku disa vetura të mediave, të cilat kanë qenë të parkuara në lokacione të ndryshme, janë sulmuar dhe dëmtuar nga mjetet e forta të hedhura brenda dhe jashtë veturave.

“Pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, si dhe dëmtimi i automjeteve janë veprime kriminale, të cilat do të hetohen nga Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatën e tyre.

Po ashtu, është bërë e ditur se në orët e pasdites, protestat pran objekteve të tri komunave në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan kanë përfunduar, përjashtuar një numër të vogël të protestuesve që sipas Policisë vazhdojnë të qëndrojnë pranë komunës së Leposaviqit.

“Monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucionet relevante të sigurisë kanë vazhduar në të gjitha lokacionet”.

Lexo edhe:  “Na kërkoi ta mbyllim grevën” – si iu është kundërpërgjigjur Jasharaj, Besnik Bislimit