Punëtori i “Telkos” pëson lëndime teksa po punonte në rrjet, Policia nis hetimet

Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to janë edhe kushtet në vendet ku kryejnë punë dhe rreziku që u kanoset.

Jo rrallëherë ata e pësojnë keq, madje edhe tragjikisht, qoftë në ndërtimtari, apo edhe në sektorë të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë dje në fshatin Dresnik të Klinës, ku një punëtor i Telkosit, kompanisë kabllore që operon në Kosovë është lënduar gjatë punimeve në rrjet.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 40-vjeçar, i cili ka pësuar lëndime derisa po punonte, për çka u dërgua me urgjencë në spital.

Viktima fillimisht ishte trajtuar në Klinë e më pas është transferuar në Spitalin e Pejës për të vazhduar tretmanin mjekësor.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer ekzaminimet nëse janë plotësuar apo jo kushtet e punës dhe masat e sigurisë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

Kujtojmë se sot ka ndodhur një rast tragjik në Prizren, ku një punëtor 19-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga ndërtesa ku po punonte.

Lexo edhe:  Hajnat thyejnë një shtëpi në Mitrovicë, vjedhin një armë gjuetie