Përleshje në afërsi të një shkolle në Mitrovicë: 14-vjeçarja ofendohet dhe sulmohet nga dy bashkëmoshatare
Rrahjet e përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme janë shumë të shpeshta.
Nxënësit shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmën e Policisë për të intervenuar në incidente të tilla që ndodhin brenda hapësirave të shkollave, raporton Gazeta Sinjali.
Një përleshje ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Mitrovicë, ku janë përfshirë disa nxënëse të një shkolle fillore të mesme të ulët dhe si pasojë ka mbetur e lënduar një 14-vjeçare.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e mitura është sulmuar fizikisht nga dy bashkëmoshatare, të cilat e kanë ofenduar dhe për të mos mbaruar me kaq e kanë kapur për flokëve dhe e kanë goditur.
Rasti është denoncuar në Polici nga viktima dhe prindi i saj, e cila ka rrëfyer gjithë rastin që ndodhi sot në mesditë.
Ndërkohë njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast të miturat e dyshuara janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, hetimet kanë nisur në drejtim të veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.