Vrasje në tentativë në Podujevë, plagoset me armë një person
Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në qytetin e Podujevës, ku disa persona janë përfshirë në një rrahje, ku përpos grushteve janë përdorur edhe mjete të forta dhe një armë zjarri.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ku bëhet e ditur se një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
“Është raportuar për një rrahje në mes të disa personave. Si pasojë, një person mashkull kosovar është plagosur nga arma e zjarrit i cili më pas është dërguar për tretman mjekësor, po ashtu tre meshkuj kosovarë kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Në vendin e ngjarjes është konfiskuar një pistoletë, një gëzhojë dhe një shkop druri.
I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje si i dyshuar për ‘Vrasje në tentativë’.