Të moshuarës në Mitrovicë i del problem me drejtorin e shkollës ‘Bedri Gjinaj’, e denoncon për kanosje
Një grua e moshuar në qytetin e Mitrovicës ka kërkuar sot paradite ndihmën e Policisë së Kosovës, pasi që ka raportuar se ka hasur në telashe me drejtorin e shkollës fillore të mesme të ulët ‘Bedri Gjinaj’.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se shtëpia e 78-vjeçares ndodhet në oborrin e shkollës, e për të cilën ajo ka thënë se është ndërtuar para se ajo hapësirë të vendosej si lokacion i këtij institucioni arsimor.
Bazuar në dëshminë e saj, dhënë organeve të hetuesisë, mëngjesin e sotëm ka dëgjuar disa krisma të cilat dyshohet se i shkaktuan nxënësit e shkollës që po luanin me top aty pranë. 78-vjeçarja ka deklaruar se ka dalë jashtë dhe u ka kërkuar fëmijëve që të mos e godasin shtëpinë me top.
Ajo po ashtu ka takuar edhe drejtorin e shkollës, E.K., të cilit ia ka përsëritur kërkesën e saj, por që deklaron se nuk ka hasur në mirëkuptimin e tij. Përkundrazi, drejtori dyshohet të ketë bërtitur në drejtim të të moshuarës duke i thënë që të mos paraqitet më aty dhe e ka pyetur pse e ka ndërtuar shtëpinë në oborr të shkollës.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.