Vrau 47-vjeçarin me një plumb në kokë, momenti kur vrasësi largohet i pamaskuar nga vendi i ngjarjes

Autori i dyshuar për vrasjen e 47-vjeçarit Arjan Gosa në Kavajë, Habib Rexha, një natë më parë, ndodhet ende në arrati.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e kaluar në lagjen nr.1 të Kavajës, ndërsa veprimet e shpejta hetimore çuan në identifikimin e autorit të krimit, por jo në kapjen e tij.

Policia ka njoftuar se ofron 10 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacione për vendndodhjen e Habib Rexhës.

Rexha, bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë dhe verifikimet e bëra, dyshohet se qëlloi dhe vrau Arjan Gosën, i cili ndodhej i ulur në lokalin ku zakonisht pinte kafen e pasdites së vonë.

Gosa ka qenë bashkë me babanë e  tij 78-vjeçar kur është qëlluar me një plumb të vetëm në kokë që i mori jetën.

Brenda më pak se dy muajsh 78-vjeçari humbi dy djemtë e tij, në dy ngjarje kriminale që kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Policia deklaroi se vrasja është kryer për motive hakmarrjeje.

Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, 43-vjeçarit që mbeti i vrarë në vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 29 mars në Kavajë.

31-vjeçari Habib Rexha vendosi të hakmerret ndaj ekzekutorit të vëllait të tij, Edmond (Armand) Gosa që mbeti gjithashtu i vrarë në mars.

Nga hetimet mbi ngjarjen rezulton se Edmond Gosa e fyente vazhdimisht Altin Rexhën në lidhje me origjinën e tij, ndërsa konflikti pati nisur për një “vështrim të shtrembër” mes tyre, raporton TCH.

Mbrëmjen e 29 marsit teksa Rexha ndodhej bashkë me djalin e vet në afërsi të banesës së tij është konfliktuar sërish me Edmond Gosën i cili e ka qëlluar.

 

Lexo edhe:  Osmani u operua në spital privat, gazetari: Mesazh i keq, kjo ndërhyrje kryhet në QKUK nga 2004