SHKK del me njoftim për vdekjen e 31-vjeçarit që vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Pejë

Gazeta Sinjali pasditen e sotme ka raportuar për një rast të rëndë që ka ndodhur në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, ku 31-vjeçari Meriton Kokaj, ka ndërruar jetë papritmas.

Lidhur me këtë janë deklaruar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve.

Përmes një njoftimi për media, SHKK njofton se Kokajt sot i është përkeqësuar gjendja dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Pejë, por pavarësisht përpjekjeve për reanimacion, nuk kanë arritur që ta shpëtojnë.

“I njëjti është pranuar në QP në Pejë me datë 14.04.2023 dhe nuk ka qenë më parë i sëmuar. Sot gjatë ditës i është përkeqësuar gjedja dhe menjehere nën shoqerim të stafit duke e reanimuar është derguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ku pas perpjekjeve për reanimacion nuk kanë pasur sukses, ku dhe është konstatuar vdekja e tij. Organet kompetente janë duke u zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të konstatojë shkakun e vdekjes”, thuhet në njoftim.

Ndryshe sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, Kokaj ishte nën hetime për veprën penale ‘Dhunë në familje’, pasi që në datën 12 të muajit prill, kishte përfunduar në stacion policor si i dyshuar për sulm fizik ndaj nënës së tij.

Një ditë pasi kishte ndodhur rasti, Sinjali ka raportuar se nëna e tashmë të ndjerit, kishte kërkuar edhe ndihmë mjekësore si pasojë e veprimeve të dhunshme të tashmë të ndjerit.

 

Lexo edhe:  Gjermania e shqetësuar për tensionet në Kosovë, i ka dy kërkesa