Babai në Gjakovë ankohet në Polici për djalin e dehur, 24-vjeçari thotë se e rrahën dy vëllezërit e tij

Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur të premten në një familje në Gjakovë, ku janë përfshirë tre vëllezër.

Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar babai i djemve, i cili ka deklaruar se i biri i tij 24-vjeçar kishte shkuar i dehur në shtëpi dhe kishte shkaktuar telashe.

Po ashtu në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit e cila është shtatzënë dhe ajo bashkë me vjehrrin e saj kanë thënë se nuk ndihen të rrezikuar nga 24-vjeçari.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku  pasi i është nënshtruar alkooltestit, ka rezultuar në gjendje të dehur.

24-vjeçari është intervistuar lidhur me rastin dhe ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga dy vëllezërit e tij më të mëdhenj.

Si pasojë e dhunës, ai kishte pësuar lëndime të dukshme në trup dhe për këtë është dërguar për tretman mjekësor në spital.

Ndërkohë dy të dyshuarit tjerë janë arrestuar dhe më pas me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

 

Lexo edhe:  Pamje dramatike: Kamerat kanë kapur momentin kur është qëlluar Kryeministri sllovak