“Fuqia” e sigurimit të lokalit BarBon në Prizren, futet në sherr me klientin por nuk arrestohet

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga përleshjet në lokale e hapësira te frekuentuara me të madhe nga qytetarët. Shpeshherë personat të cilët përfshihen në incidente te tilla janë pikërisht ata që janë të thirrur për të ofruar siguri e për të respektuar klientët. Lokali BarBon në Prizren, që menaxhohet nga një zyrtar policor është i njohur për incidente të tilla, për të cilat ka raportuar më parë Sinjali.

Rasti i fundit ka ndodhur më 14 maj, pas mesnate dhe siç mëson Sinjali edhe këtë herë ësjtë i ëprfshirë një punëtor i sigurimit dhe një klient.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se një person ka kërkuar ndihmën mjekësore si pasojë e lëndimeve trupore, që ka pësuar gjatë një konflikti fizik në këtë lokal.

Këtë rast, sipas burimeve të Sinjalit, zyrtarët policorë e kanë neglizhuar, ashtu që fillimisht nuk ishte iniciuar rast edhe përkundër se viktima ka poseduar raportin mjekësor, që e ka marrë pas trajtimit në spital.

Megjithatë, tashmë rasti është iniciuar në Polici dhe një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Drejtoria Rajonale në Prizren, që kanë bërë të ditur se rasti është cilësuar si ‘Lëndim i lehtë trupor’.

“Hetuesit në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet dhe rasti po hetohet si “Lëndim i lehtë trupor lidhur me rastin në fjalë. Një person është i dyshuar dhe viktima, si dhe janë intervistuar dëshmitarët. Në koordinim me Prokurorin, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt”.

 

Lexo edhe:  Fshati i Prishtinës ku Kurban Bajrami festohet me të shtëna me kallash (VIDEO)