Shqetësuese: 16-vjeçari kapet me thikë në kryeqytet, përfundon në Polici
Mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke cenuar sigurinë e qytetarëve. Shpeshherë të dyshuarit dalin të jenë edhe të mitur, të cilët kapen me mjete të mprehta e armë zjarri.
Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë, në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë, ku gjatë patrullimit Policia ka ndaluar një 16-vjeçar, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Gjatë kontrollimit të të dyshuarit, zyrtarët policorë kanë gjetur një mjet të mprehtë, thikë, armë kjo që është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.
Në prani të prindit, i mituri është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet dhe ndaj tij Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“