Hajnat bëjnë kërdi në lagjen Qëndresa, ‘avullojnë’ stoli ari e ora dore në vlerë të 20 mijë € nga një shtëpi

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Shpeshherë cak i hajnave janë shtëpitë nëpër fshatra e qytete, por së fundmi ata ia kanë mësyrë edhe lagjeve luksoze në Prishtinë dhe përreth kryeqytetit.

Rasti i fundit ka ndodhur në lagjen Qëndresa në Veternik, ku hajnat kanë bërë kërdi në një shtëpi.

Të dyshuarit arritën të marrin gjësende me vlerë, ora dore, stoli të arit e pajisje teknologjike, nga shtëpia e një qytetari që banon në këtë lagje.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se hajnat kanë arritur të depërtojnë me forcë shtëpisë, duke shkaktuar dëm mbi 20 mijë euro e më pas janë larguar pa lënë shumë gjurmë. Gjithçka dyshohet se ndodhi brenda pak minutave, në orët e mbrëmjes.

Rasti është denoncuar në Polici nga pronari i shtëpisë, që ka dhënë detaje se si hajnat depërtuan brenda shtëpisë me forcë, derisa familja nuk ndodhej aty, periudhë kjo që u shfrytëzua nga të dyshuarit.

Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërkohë që janë ndërmarrë veprimet hetimore për të identifikuar të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen personat që dyshohen se kanë kryer veprën.

 

Lexo edhe:  Vdes në moshën 69 vjeçare Dr.Spec. Xhika Leku, një nga emrat më të respektuar të mjekësisë