Plagosja me armë e therja me thikë, këta janë të dyshuarit e përleshjes së përgjakshme në Klinë

Mbrëmë rreth orës 19:00 në sheshin ‘Faruk Elezi’ në Klinë ka ndodhur një përleshje e cila rrezikoi të përfundojë me fatalitet për dy personat që u përfshinë në të. Përpos grushteve, ata përdorën edhe armë zjarri e thikë dhe si pasojë përfunduan në spital shkaku i plagëve të marra.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për Kolë Grabanica dhe Tomë Zalli.

Njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar në vendin e ngjarjes armën e zjarrit dhe mjetin e mprehtë që dyshohet se u përdorën në rast, ndërkohë që Grabanica dhe Zalli u transportuan me urgjencë për në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë.

Pas marrjes së ndihmës së parë, për shkak të natyrës së lëndimeve, ata janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Lidhur me rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ku bëhet e ditur se rasti është nën hetime dhe me urdhër të prokurorit është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

 

Lexo edhe:  Kurti mbledh sot kryetarët e komunave