Dikush ia vë flakën veturës së 45-vjeçarit në Fushë Kosovë, një qytetar e shuan zjarrin me Coca Cola

Vetura e një qytetari në Fushë Kosovë është përfshirë nga zjarri, pasi dikush ia vuri flakën qëllimisht, për motive akoma të panjohura.

Automjeti nuk u bë shkrumb e hi falë ndërhyrjes së një qytetari, ndërsa Policia ka zbuluar të dyshuarin.

Siç mëson Sinjali, një person, i moshës së mitur, po dyshohet se ia ka vënë flakën me benzinë veturës së një 45-vjeçari. Rasti dyshohet se ka ndodhur pas mesnate dhe zjarri u shua nga një kalimtar rasti, i cili ia ka hedhur një shishe me pije Coca Cola.

Sipas informacioneve të para, njësitë përkatëse kanë bërë ekzaminimet e nevojshme në vendn e ngjarjes dhe më pas është identifikuar i dyshuari.

Personi i dyshuar ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin i rastit ndaj tij.

I njëjti do të hetohet për “Zjarrvënie”, vepër kjo e ndëshkueshme dhe kushdo që e kryen dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.

Lexo edhe:  Vodhi një dele dhe e bëri ‘mish për friz’, arrestohet 31-vjeçari në Suharekë