Policia kapi dy postierë të Serbisë në veri, iu gjetën Dinarë në vlerë mbi 100 mijë euro të padeklaruara
Dy persona punonjës të postës në Serbi, me dy vetura janë ndaluar nga Policia e Kosovës këtë të mërkure te Ura e Bistricës në veri të Kosovës rreth orës 13:00. Pas kontrollit, atyre u janë gjetur një shumë e madhe parash.
Sipas burimeve të gazetës online Reporteri.net nga dogana, shifra është mbi 100.00 mijë euro, para këto dinarë, të cilat dyshohet se janë të padeklaruara, ku më pas të njëjtat janë dërguar në terminalin doganor në Jug të Mitrovicës.
Rastin e ka konfirmuar për Reporteri.net edhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
”Rasti ka ndodhur sot rreth orës 13:00, kur policia ka ndaluar këto dy vetura të drejtuara nga dy persona në një postbllok afër qytetit të Bistricës. Zyrtarët kanë parë një shumë të madhe parash në vetura, nuk kanë ditur çfarë të bëjnë me to, kështu që rastin e kanë përcjellë në Doganën e Kosovës”, thotë Elshani.
Gjithashtu rasti është konfirmuar edhe nga Dogana e Kosovës, të cilët kanë thënë se, janë duke u marrë me rastin.