Plas sherri për parking në Prishtinë: 44-vjeçari i hyn dajak 21-vjeçarit, ai e kërcënon me thikë
Vend-parkingjet janë një ndër problemet më të mëdha të qytetarëve në Prishtinë. Mungesa e tyre i detyron të parkojnë edhe vend e pa vend, e ndonjëherë i fut edhe në telashe. Zënkat ndonjëherë eskalojnë në kanosje e përleshje, siç ka ndodhur të martën në rrugën “28 Nëntori”, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se këtë herë në rast janë përfshirë dy persona, të cilët u kapën me njëri-tjetrin pas një mosmarrëveshje që kanë pasur lidhur me një parking të veturave.
Rasti ka ndodhur në orët e pasdites, kur të dyshuarit, një 44-vjeçar dhe një 21-vjeçar fillimisht kanë pasur një konflikt verbal, që kaloi më pas në dhunë fizike.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari A.H., (44)., ka sulmuar fizikisht të dyshuarin tjetër, i cili më pas e kërcënoi duke ekspozuar një thikë.
Për pasojë, të dy përfunduan në Polici, ku janë shoqëruar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me atë që ka ndodhur.
Ndaj tyre kanë nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Njëri do të hetohet për veprën penale “Sulm”, e tjetri për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosje”.