Kërcet grushti në Loxhë të Pejës: Tre anëtarë të familjes Ademaj e rrahin komshiun që ndërtoi murin ndarës

Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpeshherë përcillen me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit, e madje ka raste kur eskalojnë edhe në kanosje serioze e përleshje.

Në të tilla raste jo rrallëherë përfshihen familjarë e fqinj, që futen në telashe dhe për pasojë përfundojnë në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Loxhë të Pejës, ku tre persona dyshohet se janë përleshur me komshiun  tyre, pas një konflikti verbal.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se tre anëtarë të familjes Ademaj janë denoncuar nga viktima, nën dyshimet se e kanë sulmuar fizikisht për shkak të një muri ndarës, që u bë mollë sherri i debatit mes tyre.

Sipas informacioneve të para, bazuar në dëshminë e viktimës, njëri prej të dyshuarve e ka goditur me grusht në kokë dhe për pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Sinjali mëson se incidenti është denoncuar menjëherë, me ç’rast njësitë përkatëse policore kanë intervenuar, ku të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari kryesor të ndalohet për 48 orë, ndërsa dy të tjerët të hetohen në procedurë të rregullt, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Lexo edhe:  Haxhiu njofton se Ministria e Drejtësisë është pajisur me peceta higjienike: Duhen thyer tabutë