As trajtim e as transport, tmerri me të cilin përballen pacientët në QKUK (Foto)

As trajtim dhe as transport. Asnjërën nga këto nuk e ofron Qendra Klinike Universitare (QKUK), kur në pyetje janë rastet e rënda e urgjente.

Pacientët kosovar përveçse përballen me problemet e trajtimit në QKUK, e duhet që të kërkojnë shërim jashtë vendit, ata përballen dhe me shumë procedura,  para se të udhëtojnë në spitalet jashtë Kosovës.

QKUK-ja përveç që nuk është në gjendje t’i kryej shumë ndërhyrje, ajo madje për raste të veçanta kur në pyetje është dhe jeta e fëmijëve nuk siguron as transport deri në aeroport, në rastet kur transporti duhet të bëhet në mënyrë speciale me autoambulancë  dhe jo me veturë të zakonshme.

Në QKUK familjarëve u kumtohet vetëm lajmi që këtu nuk kryhen këto ndërhyrje dhe se asnjë ndihmë tjetër nga aty nuk marrin.

E pacientët detyrohen që dhe transportin ta sigurojnë vet, pasi që QKUK ja as për rastet urgjente dhe të rënda, nuk i ka në dispozicion pajisjet dhe as Autoambulancat për pacientë.

E për ta siguruar transportin,  Autoambulancën  me pajisje deri në aeroport, pacientët duhet të paguajnë gogja para. Pasi që janë kompanitë private ato të cilat e sigurojnë transportin special, vetëm se  pacientët duhet të paguajnë  400 apo 600 euro  për pak kilometra.

Se me çfarë përballen pacientët në QKUK tregojnë vet familjarët. Një familjare e një bebe të porsalindur ka rrëfyer për “IndeksOnline”, tmerrin që kanë përjetuar deri në sigurimin e një autoambulance, përderisa në pyetje ishte jeta e një bebe të porsalindur, e cila ishte në gjendje të rëndë, e i duhej të transportoje për mjekim në Turqi. Familjarja e pacientit e cila deshi të mbetet anonim, ka thënë se në QKUK-i i është thënë se fëmija i porsalindur duhet trajtuar jashtë vendit pasi që kjo nuk mund të bëhet në QKUK. E tmerri sipas saj filloi aty, derisa çdo minutë ishte i gjatë, sepse bëhej fjalë për shpëtim të një jete.

Lexo edhe:  Maqedonci e jep një informacion për grupin terrorist të Radojiçiq – nuk është lajm i mirë për Kosovën

“Vetëm na kanë thënë se rasti nuk trajtohet në QKUK. Pastaj me të gjitha gjërat tjera, është dashur vet të merremi. E siguruam spitalin në Turqi, të cilët vinin me aeroplan special ta marrin fëmijën në Kosovë. Por ne u përballem dhe me një problem tjetër, në momentin që morëm vesh që QKUK-ja nuk e siguron as transportin me auto ambulancë deri në aeroport. Në spital na thonin që kjo nuk është detyre e tyre dhe se as nuk iu interesonte se si ta bartnim beben deri në aeroport edhe pse ishte në gjendje të rëndë”, thotë ajo.

Pacientja më tej tregon se pas shumë peripecive kanë kuptuar se janë kompanitë private, të cilat ofrojnë autoambulanca, me të cilat i bartin pacientët nga QKUK. Vetëm se për to duhet paguar 400 deri në 600 euro.

“Në momentin e fundit e gjetëm autoambulancën vet. Pasi që QKUK-ja vetëm na tregonin që fëmija është në gjendje të rëndë dhe se jeta e tij është në rrezik dhe se as nuk merreshin më më asgjë, për të na ndihmuar që ta transportojmë deri në Aeroport. Jemi të zhgënjyer me atë që jemi përballur në QKUK, sepse aty është një ferr i vërtetë. Megjithëse kemi paguar 600 euro deri në aeroport, për ne ishte me rëndësi që gjetëm zgjidhjen, të cilët nuk na ofroi QKUK-ja “, thotë familjarja e pacientes.

“Indeskonline” ka kontaktuar njërën nga kompanitë private, për të kuptuar mënyrën se si funksionon bartja e pacientëve deri në aeroport. Kompanitë ishin të gatshëm që transportin ta siguronin menjëherë, pasi që QKUK-ja nuk e bënte këtë, vetëm se me një çmim tejet të lartë prej 400 euro. Në njërën nga këto kompani na u tha se ata sigurojnë autoambulancën dhe gjithë ekipin e nevojshëm, për përcjelljen e pacientit deri në aeroport.

Lexo edhe:  Sociologu kosovar: Agresiviteti tek fëmijët vjen edhe për shkak të rritjes së tyre në djep

“Ky transport mundet me të kushtu rreth 400 euro, është autoambulanca dhe ekipi mjekësor. Sa i përket transportit neonatal duhet me na lajmëru disa orë me herët, pesë apo gjashtë orë më herët, për shkak se ky është një transport special i cili do kohë. Inkubatori me qenë në rregull dhe çdo aparaturë, sepse ajo është bebe. Me qenë të rritur nuk është problem, sepse brenda një ore jemi çdo kund. Ndërsa tek bebet e porsalindura është send special. Pyet njëherë në QKUK nëse ata munden me kry këtë punë,  na telefono neve. Ne i kemi të gjitha, autoambulancën me inkubator, vozitës, doktor dhe motër. Komplet prej QKUK  deri te shtijmë në aeroplan, jemi na. I kemi njerëz tanë, i kemi ekipet tona”,  i thanë “Indeksonline” nga kompania private transportuese.

Ndërkaq megjithëse “Indeksonline” i ka dërguar pyetjet SHSKUK-së, se pse ata nuk bëjnë bartjen e pacientëve në gjendje të rëndë, të cilët i referojnë vet klinikat për trajtim jashtë vendit, nuk ka marrë një përgjigje. Si përgjigje nga ta na rekomanduan t’i referohemi rregullores për shfrytëzimin a Autoambulancave, e cila parashihte të kundërtën e asaj që bëjnë klinikat e QKUK-së.

Në rregulloren e SHSKUK-së për shfrytëzimin e autoambulancave të QKUK thuhet se QKUK shërbimin e transportit e ofron në rastet kur QKUK ka kapacitete të mjaftueshme.

Po ashtu sipas rregullores së SHSKUK-së,  Autoambulancat përdoren vetëm për pacientët e hospitalizuar në klinikat e QKUK-së dhe se transporti jashtë hapësirave të QKUK-së dhe jashtë Kosovës, bëhet vetëm për pacient,  për të cilët është i nevojshëm transporti me autoambulancë dhe kur gjendja e tij nuk lejon bartjen me mjete tjera dhe se gjatë transportit gjendja e pacientit duhet të mbikëqyret nga ekipi mjekësor.

Lexo edhe:  Ky është 17-vjeçari i arrestuar për plagosjen në Isniq të Deçanit

” Kërkesa për shërbimin e transportit bëhet nga pacienti ose përcjellësi, përmes drejtorit të klinikës ku pacienti është i hospitalizuar. Dhe së bashku me historinë e pacientit dorëzohet 24 orë më herët tek drejtori i përgjithshëm, i cili bënë aprovimin brenda 24 orëve pas pranimit të kërkesës. Kërkesa për raste urgjente mund të aprovohet menjëherë nga drejtori i përgjithshëm apo i autorizuari i tij”, thuhet në rregullore.

Në rregullore po ashtu janë të caktuara  dhe çmimet e transportit jashtë Kosovës dhe për Aeroportin e Prishtinës. .

Në rregullore të SHSKUK-së thuhet se transporti nga QKUK-ja deri në Aeroport, së bashku me ekipin mjekësor  ka një çmim prej 100 euro. Ndërsa vetëm me infermierë çmimi është 70 euro.

Por QKUK, nuk e zbaton as rregulloren, të cilën vet e ka miratuar, e e cila parasheh transport për raste të veçanta jashtë QKUK-së.

Megjithëse rregullorja e SHSKUK-së parasheh transportin për raste të veçanta, ku pacienti nuk mund të udhëtojë me transport të zakonshëm, një gjë të tillë nuk e aplikon. Pacientëve të cilët janë në gjendje të rëndë dhe u duhet transport special, u thuhet se ata nuk sigurojnë transport dhe se ata vet duhet të bëjnë zgjidhje. /IndeksOnline/