Policia sekuestron armë në Orllan dhe Batllavë – një nga të dyshuarit kishte shtënë në aheng familjar
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar dy armë zjarri në dy fshatra të Prishtinës, Batllavë dhe Orllan.
Sekuestrimi i parë është realizuar në fshatin Batllavë, ku për intervistim është shoqëruar në stacion policor i dyshuari S.S., mashkull, 40 vjeç.
Personit të dyshuar i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri e tipit TT, një karikator me dy fishekë.
Ndaj personit të dyshuar është inicuar rast për veprat “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i pa autorizuar i armës” si dhe “përdorim i armës”, pasi që i njëjti dyshohet të ketë shtënë në një aheng.
Ndërsa sekuestrimi i armës së dytë, është bërë në fshatin Orllan të Podujevës.
Arma e zjarrit e tipit CZ dhe një karikator me 5 fishekë, i janë gjetur dhe sekuestruar personit të dyshuar J.A, mashkull, 21 vjeç.
Ndaj tij është hapur rast për armëmbajtje pa leje.