Tragjedia në Pejë, flet avokati i 31-vjeçarit që dyshohet se vrau nënën e tij

E premtja e 14 prillit shënoi krimin më çnjerëzor të ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Shtëpia e familjes Hyseni në rrugën ‘Mbreti Zog’ në Pejë, u shndërrua dje në skenë krimi. Kjo pasi që djali i familjes, Urimi, dyshohet se vrau në mënyrë mizore nënën e tij, Hyrijen. I dyshuari gjatë ditës së sotme ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, pasi ndaj tij Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, raporton Gazeta Sinjali.

Avokati i të dyshuarit, Asdren Mekaj, në një prononcim ekskluziv për Gazetën Sinjali, u shpreh i tronditur me atë që ka ndodhur, teksa tha se hetimet janë në fazën fillestare dhe nuk është shprehur i gatshëm që aktualisht të japë më tepër detaje rreth ngjarjes dhe gjendjes së klientit të tij.

“Më lejoni të them se rasti tragjik që ka trondit secilin qytetar, jo vetëm në qytetin e Pejës, por kudo ku jetojnë shqiptarë, natyrisht se është i rëndë edhe për mua si profesionit që duhet të përmbush detyrën në përputhje me ligjin dhe kodin e etikës për avokat. Rrethanat që e shoqërojnë këtë rast janë tejet të rënda për familjen Hyseni si dhe klientin tim, kështu që për të kursyer familjen nga lëndimi i mëtejm që mund të shkaktojë shpërfaqja e detajeve të rastit, jam i shtyrë që të kërkoj mirëkuptim për ta kursyer familjen nga publikimi i detajeve të rastit”, tha ai për Sinjalin.

Mekaj deklaroi se gjatë seancës së sotme, ka kundërshtuar që klientit të tij t’i caktohet masa e paraburgimit, duke bërë të ditur se ka kërkuar që 31-vjeçari të shkojë urgjentisht për ekzaminim psikiatrik.

“Meqë jemi në fazën fillestare ku organet e hetuesisë akoma nuk kanë kryer punën e tyre, unë do përmbahem nga diskutimi i mëtejmë i çështjes, deri në një fazë tjetër. Ajo që ndodhi sot është procedurë standarde në secilin rast, pra Prokuroria kërkoi masën e paraburgimit, unë kundërshtova duke arsyetuar se klienti im duhet të shkojë në ekzaminim urgjent psikiatrik. Na mbetet të presim vendimin e Gjykatës”, u shpreh avokati i Urim Hysenit, Asdren Mekaj për Sinjalin.

Lexo edhe:  E kërcënoi policin se do t’i hakmerret me Kanun, ky është burri nga Peja që përfundoi në ndalim policor

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.