Skenderaj: Babai kërkon ndihmën e Policisë, djali 26-vjeçar e rrahu duke ngrënë darkën e iftarit

Darka e zakonshme e iftarit u kthye mbrëmë në dhunë fizike në një familje në Skenderaj. Një mosmarrëveshje mes kryefamiljarit dhe djalit të tij shkaktoi tensione dhe për pasojë ky i fundit ushtroi dhunë ndaj babait. Rasti u denoncua në Polici, ndërkohë që i dyshuari tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 26-vjeçar, i cili po dyshohet se ka sulmuar fizikisht prindin e tij 53-vjeçar, derisa ishin duke ngrënë darkë në shtëpinë e tyre.

Sherri plasi si pasojë e një mosmarrëveshje, ashtu që i dyshuari F.F., e ka goditur me grusht në fytyrë babain e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka kërkoi trajtim mjekësor në Spitalin e Mitrovicës.

Posa rasti u denoncua, një njësi policore ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohet rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Lexo edhe:  Fushë Kosovës për 10 vjet iu dyfishua popullsia, aty tashmë jetojnë shumë drenicas