Zbulohen detaje se si u vra 5-vjeçari në Vushtrri

Një ngjarje tragjike që ndodhi pasditen e sotme në fshatin Begaj të Vushtrrisë, ka tronditur gjithë Kosovën. Në rrethana tepër të paqarta, një fëmijë i moshës 5-vjeçare u plagos me armë zjarri dhe si pasojë ndërroi jetë në Emergjencën e Spitalit.

Djali i familjes Krasniqi, ishte dërguar në Emergjencë me plagë në kokë, e cila dyshohet t’i jetë shkaktuar nga një armë e zjarrit, por që nuk dihet ende se kush e shkrepi.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë deklaratat e familjarëve të viktimës dhe bazuar në dëshmitë e tyre, viktima në momentin kritik ka qenë në oborrin e shtëpisë duke luajtur me vëllain e tij 4-vjeçar.

Të njëjtit kanë deklaruar se në një moment kanë dëgjuar një krismë arme dhe posa kanë dalë jashtë, kanë gjetur të voglin të gjakosur, teksa pohojnë se nuk e dinë si ka arritur që ai ta marrë armën e zjarrit dhe as rrethanat tjera se si ka ndodhur rastin.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë gjetur dhe sekuestruar një predhë dhe një fishekë dhe Sinjali mëson se po ashtu disa dhjetëra metra larg vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit që dyshohet se u përdor në rast.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vdekje e dyshimtë’ dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

 

Lexo edhe:  Aksident i rëndë trafiku mes veturës dhe kamionetës në Kamenicë, humb jetën 33-vjeçari