Burri në Viti ushtron dhunë ndaj bashkëshortes së tij, ajo e denoncon në Polici
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.
Në Polici kanë përfunduar së fundi edhe një çift nga fshati Vërban i Vitisë, pasi një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se gjithçka ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku pas një konflikti verbal, 54-vjeçari dyshohet se ka eskaluar në dhunë, duke sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
46-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë që ka denoncuar rastin në Polici.
Njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për ‘Dhunë në familje’.