Bien në pranga të dyshuarit për sulmin fizik ndaj menaxherit të shisha bar ‘Cohiba’ në Skenderaj

Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme ka raportuar për një incident që ka ndodhur në shisha bar ‘Cohiba’ në Skenderaj, ku dy persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht menaxherin e lokalit. Të dyshuarit fillimisht ishin larguar në drejtim të panjohur, mirëpo pas veprimeve hetimore është arritur që ata të arrestohen.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Blerim Ismajlin dhe Ermal Halitin.

Ismajli dhe Haliti janë intervistuar në stacion policor dhe më pas me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tyre kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Si ka ndodhur rasti?

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur për shkak të borxhit për pijet që kishin konsumuar Ismajli dhe Haliti, e që pas një konflikti verbal, të njëjtit dyshohet se e kanë sulmuar menaxherin duke i shkaktuar lëndime trupore.

Viktima si pasojë e lëndimeve të marra ka kërkuar ndihmë në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj. Pas dhënies së ndihmës së parë, për shkak të natyrës së lëndimeve, viktima është transferuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Ndërkohë Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, mirëpo s’është gjetur asgjë e dyshimtë.

Pronari i ‘Cohiba’ në një prononcim për Gazetën Sinjali ka mohuar që stafi i lokalit të tij të jetë përfshirë në një telashe të tillë. Ai ka thënë se nuk është në dijeni që menaxheri i lokalit është sulmuar fizikisht.

Lexo edhe:  Momenti prekës kur babai mbërrin në lokalin ku iu vra djali në Shkodër

Jo s’paskna njohuri për këtë punë. E di që diçka ni telashe e vogël u kanë, po nuk ka pasë kurrgjë diçka të madhe. S’ka pasë sulme, s’ka pasë diçka. Dy të dehun janë kanë, mesa m’kanë kallëzu se s’jam kanë në lokal, janë kanë dy të dehun, i kanë marrë i kanë qitë përjashtë edhe s’ka pasë telashe kurrgjë diçka. Veç për shkak të zhurmës”, tha ai për Sinjalin.

Tutje pronari i lokalit thotë se krejt çka ai di, është se dy klientë të dehur janë larguar nga shisha bar-i për shkak të zhurmës që kanë krijuar.

Unë nuk e di ma anej se unë jam kanë flejtun në atë kohë. Nuk jam në dijeni që ka pasë sulme fizike diçka. Vec e di që dy të dehun i kanë hjekë prej kafes se kanë ba zhurmë, i kanë pengu tjertë myshteri. Nuk di sen ma shumë, për besë nuk di sen”, përfundoi pronari i lokalit ‘Cohiba’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.