Shtetasi serb sulmon policinë e Kosovës në Jarinjë, lëndohet një polic

Një shtetas i Serbisë ka sulmuar një polic të Kosovës duke i shkaktuar lëndime trupore në pikën kufitare në Jarinjë rreth orës 16:30 këtë të premte.

Sipas njoftimit të policisë, “në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinje, sot më 07.04.2023, rreth orës 16:30, në hyrje për në Republikën e Kosovës, ka ardhur një shtetas i Serbisë, i cili nuk posedonte dokumentacionin e nevojshëm për të hyrë në Kosovë”.

Pas refuzimit për hyrje, i dyshuari N.T., (viti i lindjes 1981, shtetas serb i Serbisë) ka filluar të fyej zyrtarët policorë që ishin në detyrë zyrtare në Pikën e Kalimit Kufitar, thuhet në njoftimin e policisë.

“Të dyshuarit i është kërkuar nënshkrimi i dokumentit/vendimit për refuzim të hyrjes në vendin tonë. Ai nuk ka pranuar të nënshkruajë atë vendim dhe ka sulmuar njërin nga zyrtarët policor të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore. Polici i lënduar është dërguar për tretman mjekësor”.

“Për rastin është njoftuar prokurori, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti dërgohet në mbajtje deri në 48 orë”, tregon policia e Kosovës në njoftimin zyrtar.

 

Ndryshe, Policia e Kosovës kishte njoftuar të marten se ishte arrestuar një qytetar i etnisë serbe në Veri të Kosovës, i cili dyshohet për përpunimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike.

“Sot, më 04.04.2023, rreth orës 15:20, në vazhdën e hetimit, policia ka identifikuar dhe arrestuar edhe një të dyshuar (të dyshuarin e tretë): R.K., (viti i lindjes 1968, mashkull serb kosovar)”, ka njoftuar policia në faqen e tyre zyrtare.

Ndërkaq, në njoftimin e Policisë thuhet se ky arrestim është në kuadër të Operacionit ‘Shpata’ të nisur në shkurt të këtij viti.

Lexo edhe:  Rriten sërish çmimet e ushqimeve në Kosovë, sidomos ai i mishit të bardhë dhe çajit

“Më 12.02.2023, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, patën zhvilluar një operacion policorë, të koduar me emrin ‘Shpata’, në rajonin e Mitrovicës Veri, me qëllim të luftimit të kultivimit të lëndëve narkotike”, thuhet aty.

Gjithashtu, shpjegohet se në kuadër të këtij operacioni ishin zbuluar disa laboratorë të përpunimit të bimëve narkotike, dhe se për këtë ishin arrestuar dy persona.

“Gjatë realizimi të atij operacioni policor ishte arritur të zbuloheshin tre laboratorë me bimë narkotike; dy laboratorë me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të. Gjatë realizimit të operacionit policorë në fjalë, policia kishte arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj serb”.

Po ashtu, në njoftim thuhet se i dyshuari është intervistuar dhe ndaj tij janë ngritur akuza për dy vepra penale.

“I dyshuari është intervistuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti në drejtim të dy veprave penale: ‘prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’ dhe ‘’kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ase bimëve të kanabisit’”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com