Incident në ‘Cohiba’ në Skenderaj: Dy klientë rrahin menaxherin, pronari i lokalit s’është në dijeni

Pronarët, menaxherët e kamerierët shpesh herë gjatë punës së tyre përballen me klientë të cilët kanë sjellje arrogante e me rast edhe agresive ndaj tyre. Ata madje shpesh eskalojnë edhe në fyerje e sulme fizike ndaj punonjësve të gastronomisë.

Një incident ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate në lokalin shisha bar ‘Cohiba’ në Skenderaj, ku dy klientë dyshohet se kanë sulmuar fizikisht menaxherin.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur për shkak të borxhit për pijet që kishin konsumuar të dyshuarit, e që pas një konflikti verbal, të njëjtit dyshohet se e kanë sulmuar menaxherin duke i shkaktuar lëndime trupore.

Viktima si pasojë e lëndimeve të marra ka kërkuar ndihmë në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj. Pas dhënies së ndihmës së parë, për shkak të natyrës së lëndimeve, viktima është transferuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë dëshminë e viktimës, sipas të cilit, të dyshuarit të cilët i ka identifikuar, pasi janë larguar nga lokali, njëri prej tyre ka shtënë me armë në ajër.

Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, mirëpo s’është gjetur asgjë e dyshimtë  dhe po ashtu nuk është arritur ende që të arrestohen të dyshuarit.

Pronari i ‘Cohiba’ në një prononcim për Gazetën Sinjali ka mohuar që stafi i lokalit të tij të jetë përfshirë në një telashe të tillë. Ai ka thënë se nuk është në dijeni që menaxheri i lokalit është sulmuar fizikisht.

Lexo edhe:  Brutale: Shoferi i çon "mendtë dikah", shkel 4 këmbësorë në Suharekë

“Jo s’paskna njohuri për këtë punë. E di që diçka ni telashe e vogël u kanë, po nuk ka pasë kurrgjë diçka të madhe. S’ka pasë sulme, s’ka pasë diçka. Dy të dehun janë kanë, mesa m’kanë kallëzu se s’jam kanë në lokal, janë kanë dy të dehun, i kanë marrë i kanë qitë përjashtë edhe s’ka pasë telashe kurrgjë diçka. Veç për shkak të zhurmës”, tha ai për Sinjalin.

Tutje pronari i lokalit thotë se krejt çka ai di, është se dy klientë të dehur janë larguar nga shisha bar-i për shkak të zhurmës që kanë krijuar.

“Unë nuk e di ma anej se unë jam kanë flejtun në atë kohë. Nuk jam në dijeni që ka pasë sulme fizike diçka. Vec e di që dy të dehun i kanë hjekë prej kafes se kanë ba zhurmë, i kanë pengu tjertë myshteri. Nuk di sen ma shumë, për besë nuk di sen”, përfundoi pronari i lokalit ‘Cohiba’.