Vjehrri ushtron dhunë fizike ndaj nuses, “e kap për fyti” – përfundon në ndalim policor
Rastet e dhunës në familjet kosovare janë në rritje çdo ditë e më shumë.
Zakonisht viktima janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike jo vetëm nga bashkëshortët, por edhe nga pjesëtarët tjerë të familjes. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në një familje në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është raportuar gjatë ditës së djeshme nga një grua e cila e ka denoncuar në Polici babain e bashkëshortit, vjehrrin e saj.
Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë, vjehrri i saj ka ushtruar dhunë psikike e fizike, duke e kapur për fyti, me ç’rast i ka shkaktuar frikë e shqetësim të madh.
Për pasojë, ajo ka vendosur që të kërkojë ndihmë, duke e raportuar të dyshuarin në Polici, me ç’rast ka rrëfyer për dhunën që ka përjetuar në shtëpinë e burrit.
Si rezultat i raportimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për dhunë në familje, kurse gruaja është dërguar në strehimore pasi aty ndihet më e sigurt.