Paraburgim për të dyshuarin për djegien e veturave dhe sulmin ndaj policëve në Veri

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit M.B, i cili nga Prokuroria Speciale po dyshohet për sulm ndaj Policëve të Kosovës, djegien e veturave në veri të vendit si dhe për pjesëmarrje në grupin kriminal, vrasje në tentativë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit M.B, për shkak të veprës penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin365 paragrafi 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm neni 365 paragrafi 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga neni 410 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe Zjarr vënie nga neni 322 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës  për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.B e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi të pandehurit  i llogaritet prej kohës së ndalimit dhe atë prej datës 01.04.2023 deri me datë 01.05.2023”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, pas incidenteve me djegien e veturave në veri të Mitrovicës, mbërmjen e 2 prilit, Policia e Kosovës është sulmuar me mjet shpërthyes në rrugën “Ivo Llola Ribar”, tek Qendra e kontrollimit teknik të automjeteve.

Në drejtim të zyrtarëve policorë që ndodheshin në detyrë zyrtare (njësia në pikë statike), është hedhur një mjet i dyshuar shpërthyes.

Lexo edhe:  E rëndë: Humb jetën kirurgu i QKUK-së, dyshohet se e zuri rryma në banesën e tij

“Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se mjeti i dyshuar shpërthyes i hedhur në drejtim të zyrtarëve policor është – Shok Bombë. Njësitet kompetente policore dhe krim teknika kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer procedurat e nevojshme të vend shikimit. Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe hetime intensive për zbardhjen e këtij rasti janë në proces.”, ka njoftuar Policia.

Në komunikatë thuhet po ashtu se Policia e Kosovës “pavarësisht akteve të tilla  nga individ apo grupe të caktuara kriminale mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të ruajtjes së rendit, garantimit të sigurisë së qytetarëve pa dallim, si dhe arrestimin dhe sjelljen sa më parë para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar të përfshirë në raste të tilla.”.