Dorëzohet në Polici llapjani që sulmoi gruan dhe iku nga shtëpia

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një rast i tillë ka ndodhur para disa ditësh në fshatin Obranq të Podujevës, ku një burrë dyshohet se kishte ushtruar dhunë ndaj gruas së tij dhe më pas ishte larguar nga shtëpia.

Por gjatë ditës së djeshme ai ka vendosur që të dorëzohet në Polici, ku është intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për P.Sh., i cili dyshohet se të mërkurën e ka sulmuar fizikisht gruan e tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore.

Si pasojë e frikës dhe shqetësimit, ajo kishte shkuar te familja e saj, kurse i dyshuari kishte qëndruar në arrati deri dje kur u kap.

 

Lexo edhe:  Maqedonci: Kemi kufizime sa i përket koordinimit paraprak, por jo për veprim në të gjithë territorin e Kosovës