Ngjarje e rëndë në Prizren: Djali ther nënën e tij, Policia e gjen atë me thikë në dorë e gruan e përgjakur
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 17:30 në qytetin e Prizrenit, ku një 19-vjeçar dyshohet se ka therur me thikë nënën e tij.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në shtëpinë e familjes në rrugën ‘Besim Shala’, pas një mosmarrëveshjeje mes tyre, situata ka eskaluar deri në atë pikë sa i riu ka sulmuar fizikisht nënën e tij duke e therur me thikë. Si pasojë e sulmit, gruaja 49-vjeçare ka pësuar lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.
Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur 19-vjeçarin me thikë në dorë, ndërsa nënën e tij të përgjakur.
Sipas deklaratës së viktimës, ngjarja ka ndodhur për shkak se familja nuk kishte aprovuar kërkesën e djalit për t’ia dhënë veturën, për çka 19-vjeçari i revoltuar kishte marrë veprime të dhunshme fillimisht duke dëmtuar gomat e makinës, e më pas duke therur nënën e tij.
Njësitet policore kanë gjetur dhe sekuestruar nga i dyshuari një thikë, një boks të hekurit dhe një elektroshok dhe i njëjti është arrestuar.
Me vendim të prokurorit, ndaj 19-vjeçarit është iniciuar rasti për veprat “Dhunë në familje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve”.