Ky është Andi “italiani”, i dyshuari që demoloi Bon Vivantin vet i 20-ti

Mbrëmjen e së mërkurës, në kafiterinë “Bon Vivant” në Prishtinë kishin shkuar një grup të rinjsh të prirë nga Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”.

Paparaci ka mësuar detaje për ngjarjen që përfundoi me demolimin e kafiterisë në bashkëpronësi të nënkryetarit të Partisë Demokratike (PDK), Uran Ismaili, si dhe me sulmin fizik të njërit prej menaxherëve të “Bon Vivant”.

Andi Pajaziti donte të bënte një rezervim për këtë të premte në mbrëmje, por nga personat përgjegjës të kafiterisë atij i është komunikuar se nuk kishte tavolina te lira, raporton Paparaci.

Menaxheri i kishte thënë se janë kryer rezervimet. I kishte sugjeruar një tavolinë të lirë, por “Italianit” të dyshuar për shumë vepra penale nuk i kishte pëlqyer rekomandimi i menaxherit.

Ai kishte thirrur një grup prej 15 personash të cilët, të pajisur me mjete te forta, kishin thyer dhe demoluar lokalin në bashkëpronësi të Uran Ismailit.

Grupi, i prirë nga “Italiani”, kishin sulmuar fizikisht menaxherin e lokalit “Bon Vivant”, njoftoi Policia e Kosovës të enjten.

“Disa persona kanë hyrë në një lokal dhe i kanë demoluar disa tavolina dhe më pas e kanë sulmuar viktimën mashkull kosovar (menaxher i këtij lokali),  duke i shkaktuar lëndime trupore”, ka bërë të ditur policia. “Viktima ka pranuar tretman mjekësor”.

Andi Pajaziti, një person i njohur për organet e rendit, është i biri i një anëtari të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili ka qenë shofer i ish-zëvendësministrit të Drejtësisë, Lirak Çelaj.

Paparaci ka zbuluar se Andi Pajaziti tashmë është identifikuar nga Policia e Kosovës për këtë sulm, por ndodhet në arrati.

Policia nuk ka arritur ende të zbulojë vendndodhjen e të dyshuarit.

“Italiani” është person me dosje të rëndë penale, i dyshuar për disa vepra kriminale në të kaluarën.

Lexo edhe:  Vdekja tragjike e ish-policit në Drenas, familja e tij shtrinë dorën e pajtimit me familjen Hot

Rreth tri vite më parë, Andi Pajaziti ishte arrestuar nga policia nën dyshimin për përfshirje në plagosjen me armë zjarrin të katër rojeve të klubit të natës “Duplex”.

Ai ishte arrestuar më 26 nëntor, 2019, pasi kishte qëndruar për disa javë në arrati së bashku edhe me dy persona të tjerë, përfshirë Astrit Mehmetin, të njohur me pseudonimin “Llepota”.