I mituri kapet me drogë në oborrin e shkollës ekonomike në Podujevë, e kishte fshehur në këpucë

Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve.

Kjo dukuri nuk i kursen as nxënësit e shkollave fillore e të mesme, të cilët kapen në flagrancë nga punonjësit e arsimit e Policia, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar dje në oborrin e shkollës së mesme ekonomike ‘Isa Boletini’ në Podujevë.

Sinjali mëson se gjatë kontrollit të Policisë, te një person i mitur është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, të cilën e kishte fshehur në këpucë.

Narkotikët janë sekuestruar, ndërsa i mituri është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar në prezencë të prindit të tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti ‘Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Ministri gjerman i mbrojtjes pritet me ceremoni zyrtare nga Maqedonci, shkëmbejnë edhe dhurata