Kapet në Shqipëri një honduras, e mashtroi kosovarin duke i marrë 9000 euro
Policia e Shqipërisë ka arrestuar të mërkurën një shtetas të Hondurasit, që ishte shpallur në kërkim pasi kishte mashtruar një shtetas të Kosovës.
Sipas njoftimit, 41-vjeçari është kapur duke tentuar të kalonte kufirin për të hyrë në Greqi.
Atij i janë sekuestruar mbi 10 mijë euro e 400 dollarë, të cilat s’i ka deklaruar në kufi. Po ashtu janë sekuestruar edhe dokumente identifikimi të falsifikuara që dyshohet se i ka përdorur gjatë qëndrimit në Shqipëri, për të mos u identifikuar nga Policia.
“Ndalimi i këtij shtetasi është bërë pasi nga verifikimet ka rezultuar i shpallur në kërkim nga DVP Tiranë, për veprën penale ‘Mashtrimi’, sepse në Tiranë, i ka marrë një shtetasi kosovar, shumën 9000 euro, duke e mashtruar. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë Kufitare i kanë gjetur shtetasit J. S., 10 150 euro dhe 400 dollarë, të cilat ai nuk e kishte deklaruar në doganë, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Gjithashtu, gjatë kontrollit, këtij shtetasi i janë gjetur disa dokumente identifikimi të falsifikuara, të cilat dyshohet se i ka përdorur gjatë qëndrimit në Shqipëri, për të mos u identifikuar nga Policia”, thuhet në raportin e Policisë.
Ai tash dyshohet edhe për veprat penale “mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.