Momenti se si sulmohet seksualisht një fëmijë gjashtëvjeçar në Prishtinë – qytetarët përballen me të dyshuarin

Vetëm të mërkurën e 27 korrikut të vitit 2022, janë raportuar tri raste të sulmeve seksuale ndaj të miturve. Prishtina, Obiliqi dhe Mitrovica, janë vendet ku kanë ndodhur ngjarjet.

Për njërin nga këto raste, i ndodhur në kryeqytet, Portali Dukagjini ka siguruar dëshmi, derisa dëshmitarët (një nga të cilët – nëna e viktimës), konfrontohen me të dyshuarin.

Siç është mësuar nga burimet e portalit, personi i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur (6-vjeçare), është mbi 50 vjeç, dhe i njëjti është pronar i një marketi në një lagje të Prishtinës.

Po ashtu, edhe viktima është banore e asaj lagjeje.

Sipas burimeve, dy dëshmitarë, teksa kanë hyrë spontanisht në dyqanin e të dyshuarit, e kanë parë atë derisa abuzonte seksualisht me të miturën.

Me të parë atë veprim, dëshmitari fillimisht e ka pyetur “çka e ke këtë vajzë?”, duke iu referuar viktimës, kurse i dyshuari i është përgjigjur se është vajza e tij.

Dëshmitarët të cilët po ashtu janë banorë të së njëjtës lagje, janë larguar nga dyqani për t’u kthyer përsëri pas pak minutash.

Por, kësaj radhe, i dyshuari gënjen sërish.

Ai pohon se është gjyshi i viktimës 6-vjeçare.

Të njëjtit e marrin vajzën, e cila sipas tyre dukej e frikësuar dhe po dridhej.

E dërgojnë te familja e saj, për t’ia treguar tërë ngjarjen prindërve.

E shokuar nga rasti, nëna e viktimës së bashku me dy dëshmitarët e rastit, shkojnë të përballen me të dyshuarin në dyqanin e tij.

Më poshtë gjeni konfrontimin e të dyshuarit me dëshmitarët dhe nënën e viktimës.

“Më fal zotëri… kur të pyeta për këtë çikën, pse the se është e imja?

Herën e dytë kur kemi ardhur ke thënë babagjyshi!”, pyet dëshmitari X.

Lexo edhe:  Gjendet edhe trupi i Alma Arrazit, u mbyt në lumin Buna bashkë me tre fëmijët e vegjël

Kurse i dyshuari, aludon se ishte provokuar nga viktima 6 vjeçare.

“Kjo donte të luante, se është shumë e lazdruar, kjo është fëmijë për mua”, është shprehur i dyshuari 50-vjeçar, teksa shtoi se “nuk e kisha qëllimin e keq”.

Dëshmitari teksa i drejtohet të dyshuarit, i thotë se “ai ishte qëllim i keq, se unë kur hyra, ti çikën e kishe vendosur në bel, ia kishe zgjeruar këmbët, edhe ishe duke e puthur”.

Por, i dyshuari i qëndron fjalës së tij paraprake, se kinse është ndikuar nga viktima 6- vjeçare.

Për të parë videon kliko KËTU
“… po them se gabimi im është që kam rënë në ndikim të saj, në atë pozitë që të luaj me të se nuk kam pasur absolutisht kurrfarë qëllimi, ai është fëmijë për mua, unë 4 a 5 herë gjysh jam, nuk është diçka, mos e bëj Zot as që më shkon mendja”, thotë ai.

Pas gjithë konfrontimit të zgjatur për disa minuta, i dyshuari kupton se është njoftuar policia për rastin.

Derisa dëshmitarët presin ardhjen e njësisë përkatëse policore, i dyshuari tenton të largohet nga vendi i ngjarjes.

Madje në një moment, në pamjet e siguruara nga Portali Dukagjini, shihet derisa mundohet të ikë me veturën e tij, duke i rrezikuar edhe të pranishmit.

Pas arritjes së policisë, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte sulmuar seksualisht një femër kosovare (fëmijë)”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Portali Dukagjini ka dërguar pyetje në zyrën për informim të Policisë së Kosovës, për statistikat e ngacmimeve seksuale.

92 raste të referuara si “ngacmime seksuale”, ndaj të miturve dhe fëmijëve janë raportuar brenda një viti e gjysmë në Kosovë.

Lexo edhe:  Policia në aksion: Sekuestrohen 84 artikuj farmaceutik pa banderola

Kështu ka bërë të ditur për Portali Dukagjini Policia e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim, ku nga statistikat e dërguara tregohet se gjatë vitit 2021 janë inicuar 54 raste, kurse për vetëm gjashtë muajt e parë të vitit 2022, janë inicuar 38 raste.

“Gjatë vitit 2021 janë iniciuar 54 raste ‘ngacmim seksual’, kurse, në periudhën janar-qershor 2022 janë raportuar 38 raste ‘ngacmim seksual’”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, se është paraqitur zyrtarisht kërkesa për paraburgim ndaj personit i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 6-vjeçare.

“Është paraqitur kërkesa për paraburgim në Gjykatë”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.