6-vjeçarja sulmohet seksualisht nga shitësi i marketit në Prishtinë, ky i fundit përfundon në pranga

Një ngjarje e trishtë dyshohet se ka ndodhur dje pasdite në Prishtinë, ku një nënë ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës pasi pretendon se vajza e saj 6-vjeçare është sulmuar seksualisht nga shitësi i marketit.

Sinjali mëson se rasti i rëndë dyshohet se ka ndodhur brenda hapësirave të një marketi në rrugën ‘Qamil Bala’, të cilin vajza e vogël e frekuenton që nga hapja e tij për të blerë gjëra të ndryshme. Pa dijeninë e saj, ajo dyshohet se kishte rënë pre e sulmit seksual nga shitësi i marketit, i cili kishte krijuar një raport të afërt me vajzën e mitur.

Me të marrë vesh se çfarë ndodhë me vajzën e saj sa herë ‘viziton’ marketin në fjalë, nëna e 6-vjeçares denoncoi rastin në Polici, duke pretenduar se e mitura është sulmuar seksualisht nga shitësi.

Me të denoncuar rastin, Policia ka ndërmarr një varg veprimesh hetimore, duke intervistuar personat involvuar në rast, përfshirë edhe intervistimin e vajzës së mitur në prezencën e prindërve nga përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale, teksa kanë vënë në pranga edhe personin e dyshuar.

Çka deklaroi 6-vjeçarja?

Vajza e vogël gjatë intervistimit që u krye në shtëpinë e saj ku të pranishëm ishin prindërit dhe Policia, para përfaqësuesve të QPS-së ka dhënë një rrëfim goxha tronditës, duke theksuar se marketin në fjalë e frekuenton shpesh dhe kohë më parë shitësi kishte filluar të afrohet me të duke i folur për dore, më pas ka filluar t’ia kap faqen dhe disa herë e ka marrë edhe në prehër dhe e ka puthur në faqe.

Çka deklaroi nëna?

Nëna e të miturës me të arritur në stacion policor, ka bërë të ditur se dyshon që vajza e saj është sulmuar seksualisht nga shitësi i marketit. Kjo pasi kishte marrë informacione nga një dëshmitare e cila kishte parë ngjarjen që dyshohet se ndodhi dje, për çka më pas bisedoi dhe me vajzën e mitur, e cila po ashtu tha se shitësi e kishte ulur në prehër, por nuk e ka puthur.

Lexo edhe:  Në mungesë të njërit të akuzuar dhe avokatit të tij, dështon seanca ndaj tre kirurgëve të Spitalit të Vushtrrisë të akuzuar për ryshfet

Çka deklaroi dëshmitarja?

Për ta ndriçuar në mënyrë të plotë dhe aq sa është e mundur nëse ajo çfarë pretendon vajza 6-vjeçare ka ndodhur apo ka ngatërresë faktesh, Policia ka intervistuar edhe një dëshmitare e cila gjatë intervistimit të saj ka pohuar se në kohën kur ka qenë në market ka parë se shitësi e kishte kapur të miturën në krahë dhe më pas e kishte puthur në buzë. Në praninë e tij, dëshmitarja e kishte pyetur vajzën e vogël se çfarë e ka 51-vjeçarin, por përgjigjen e kishte marrë nga vetë i dyshuari i cili kishte thënë se e ka vajzë. E shqetësuar me atë që pa, ajo njoftoi nënën e vajzës.

Çka deklaroi i dyshuari?

Në vazhdën e veprimeve hetimore dhe intervistimit të personave të përfshirë në rast, hetuesit policorë kanë marrë në pyetje edhe personin e dyshuar, i cili në prezencën e avokatit të tij mbrojtës e ka pranuar se e ka kapur ‘hopa’ në krahë 6-vjeçaren, por ka mohuar ta ketë puthur në buzë ashtu siç pretendohet nga ankuesja.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit i cili pas përfundimit të procedurave policore ka nxjerrë aktvendim që 51-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.

Kujtojmë që ky rast është në fazën fillestare të hetimit dhe faktet akoma nuk konsiderohen si të provuara deri në zbatimin e plotë të hetimeve dhe nxjerrjen e një konkluzioni përfundimtar lidhur me atë se çka u denoncua dhe çka u provua.