Rrahja në Podujevë: Eksperti thotë se të dëmtuarit i ishte thyer ashti i kokës që pastaj copat i kanë depërtuar në tru

Prishtinë – Eksperti mjeko-ligjor, Flamur Blakaj ka thënë se të dëmtuarit A.B., i ishin shkaktuar pasoja të përhershme pasi i ishte thyer ashti i kokës që pastaj copat e ashtit i kishin depërtuar në tru.

Këtë konstatim eksperti Blakaj e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj tre të akuzuarve për tentim vrasjen e Babatincës. Në këtë rast ngarkohen A.V., e I.M., se kanë rrahur të dëmtuarin me grushte dhe shqelma derisa i akuzuari i tretë, Sh.F., akuzohet se e ka goditur të dëmtuarin me kondak të revoles në vetull.

Eksperti Blakaj tha se në pikën 1 të ekspertizës ishin cekur se i dëmtuari kishte thyerje shumë copësh të ashtit të kafkës dhe këto copa kishin depërtuar në trurin e tij dhe ia kishin dëmtuar cipen e trurit ku edhe ishte kryer ndërhyrje kirurgjike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, eksperti Blakaj duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Besa Limani tha se, ekzistojnë disa tabela të Bashkimit Evropian për paaftësitë fizike dhe mendore të cilat janë të adaptuara edhe nga Kosova të cilat janë të aprovuara në vitin 2016 nga Banka Qendrore e Kosovës.

Sipas tij, konstatimet në pikën 3 të ekspertizës nënkuptojnë që dëmtimet trupore të rënda të cilat shoqërohen me pasoja të përhershme te i dëmtuari, në bazë të tabelave janë konstatuar me 5% të paaftësisë fizike për shkak të dëmtimeve të shkaktuara.

Lexo edhe:  Ndahet nga jeta Martti Ahtisaari