Rruga që po ua ‘shkurton ymrin’ qytetarëve, edhe sot kolona të gjata në Veternik
Trafiku i dendur në Prishtinë, është një ndër problemet e shumta me të cilat përballen qytetarët në kryeqytet. Vazhdimisht, pothuajse në çdo orë të ditës, krijohen kolona të gjata në komunikacion, duke shkaktuar kështu vështirësi në qarkullim me vetura.
Një ndër rrugët e njohura për trafikun pasditeve, është edhe teposhtëzja e Veternikut, ku çdo ditë qytetarët presin për minuta e orë të tëra në kolonë për të hyrë në qytet.
Sinjalizuesit e Gazetës Sinjali kanë dërguar pamje nga vendi i ngjarjes, ku edhe sot shihet një fluks i madh i veturave në atë pjesë.
Ndryshe, rregullimi i trafikut ka qenë edhe një prej premtimeve të kryetarit aktual të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili është zotuar se do të punojnë intensivisht për përmirësimin e kësaj gjendje.
Kujtojmë se sipas të dhënave nga zyrtarët komunalë, rreth 200 mijë vetura qarkullojnë në qytet, 180 mijë vetura vijnë nga jashtë Prishtinës.