Policia me aksion në disa barnatore në Prishtinë – zbulohen bunkerë me barna, arrestohen dy persona

Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike e Policisë së Kosovës sot ka zhvilluar me sukses një operacion në disa barnatore të Prishtinës. Pas këtij operacioni dy persona kanë përfunduar në praga, shkruan Insajderin

Policia ka njoftuar se cak i aksionit kanë qenë 7 barnatore në kryqytet nën dyshimin se janë duke shitur produkte farmaceutike (barna), të cilat dyshohet se janë kontrabanduar dhe janë të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Gjatë kontrollimit është kuptuar se barnat ilegale ishin vendosur në pjesë tjera të lokalit, sipas policisë në formë bunkeri.

“Sot, më 16.03.2023, hetuesit policorë në bashkëpunim me Inspektorët Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë kanë ndërmarrë veprime në teren ku janë kontrolluar shtatë (7) barnatore në kryeqytet. Gjatë kontrollimit në dy barnatore është zbuluar sasi e madhe e barnave pa banderola që dyshohet se janë kontrabanduar. Këto barna ishin të fshehura në pjesë shtesë të lokalit të rregulluar enkas për fshehjen e tyre (në formë të bunkerit)”, thuhet në njoftim përcjell Insajderi.

 

Tutje bëhet me dije se gjatë këtij operacioni pas zbulimit të kësaj sasie të barnave, është njoftuar edhe Dogana e Kosovës të cilët kanë dalë në teren dhe janë bashkangjitur ekipeve nga institucionet e përfshira në këtë operacion.

“Ekipet policore, inspektorët farmaceutik dhe ekipet nga dogana kanë bërë numërimin e llojit të produkteve të barnave nga ku ka rezultuar se janë sekuestruar 598 lloje të produkteve, kurse sasia e barnave brenda një produkti është më e madhe dhe ka mbetur të numërohen dhe evidentohen nga njësitet përkatëse”

Dy të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Në polici, janë shoqëruar dy persona të dyshuar, pronarë të barnatoreve, të cilët janë intervistuar në prezencën e avokatit të tyre mbrojtës, ndaj tyre janë iniciuar rastet: ’prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’, ‘kontrabandim i mallrave’ dhe “tregtia e ndaluar” dhe me aktvendim nga prokuroi të njëjtit dërgohen në mbajtje deri në 48 orë”.

Lexo edhe:  Viti: Zhduket një grua