Zyrtari spanjoll e takon Kurtin, ia jep lajmin e fundit për liberalizimin e vizave
Kryeministri Albin Kurti u takua në Strasburg me eurodeputetin spanjoll nga radhët e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), i cili drejton edhe Komitetin LIBE, Juan Fernando Lopez Aguilar.
Tema të diskutimit ishin zhvillimet e fundit, qeverisja dyvjeçare, reformat në sistemin e drejtësisë, sundimi i ligjit dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjet e deritanishme që Komiteti LIBE i ka dhënë Kosovës për largimin e regjimit të vizave, mbështetje që uron ta marrë edhe në votimin e radhës në këtë komitet, dhe tha se pas vendimit të javës së kaluar të Këshillit të Bashkimit Evropian pret që së shpejti Parlamenti Evropian të kryej dy votimet e fundit në kuadër të këtij procesi.