17-vjeçari në Prizren ther me thikë vëllain e tij të mitur
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Prizrenit, ku për motive ende të panjohura gjatë një mosmarrëveshjeje mes dy vëllezërve, ka mbetur i therur me thikë një 15-vjeçar.
Siç raporton Sinjali, brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal në Prizren kanë bërë me dije se i mituri është dërguar atje me plagë që dyshohet t’i jenë shkaktuar nga një mjet i mprehtë, teksa ai ishte transferuar në spital nga një qytetar i cili e kishte gjetur viktimën të përgjakur në rrugë.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e 15-vjeçarit është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë shkuar në Emergjencë, ku kanë marrë deklaratën e viktimës dhe dëshmitarit.
Sipas mediumit, bazuar në dëshminë e të miturit, pas një konflikti verbal me vëllain e tij, po ashtu të mitur, ky i fundit kishte shpërthyer në dhunë fizike duke e goditur me grushte e më pas dyshohet se e ka therur me thikë.
Menjëherë pas kryerjes së veprës, 17-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes për në drejtim të panjohur.
Njësitë policore kanë arritur që të lokalizojnë vendndodhjen e të dyshuarit dhe i njëjti është arrestuar. Po ahstu gjatë kontrollit trupor, të miturit i është gjetur një thikë e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
17-vjeçari është intervistuar nga hetuesit policorë në praninë e prindit dhe avokatit të tij mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.