Shkolla e 300 mijë eurove që u shndërrua në stallë të deleve në Istog
Hiç më pak se 300 mijë euro nga fondi i 3 % ndau qeveria e përkohshme e Bujar Bukoshit për ndërtimin e kësaj shkolle në fshatin Kashicë të Istogut.
Shkolla e ndërtuar më 2004 u mbyll vetëm pesë vjet më vonë, me arsyetimin se ka mungesë të nxënësve, raporton Kiks Kosova.
Nxënësit e këtij fshati tash vijojnë mësimet në shkollat e fshatrave Banjë dhe Saradran, rreth 5 km larg. Ndërsa, vendin e tyre e zunë delet.
Behlulaj, i cili tha se këtë shkollë e ka vizituar dy javë më parë, zotohet se në këtë objekt nuk është asnjë gjurmë e bagëtive.
Mirëpo, kështu nuk tregon objektivi i kamerës së Kiksit. Ekipi i emisionit ka shkuar në këtë shkollë dhe ka parë nga afër gjendjen e mjerueshme, në të cilën është katandisur ky objekt.
Shkollës fantazmë nuk i ka mbetur asnjë derë ose xham pa u dëmtuar, ndërsa dyshemeja është e gjitha e mbuluar nga plehu i deleve.
Banorët e këtij fshati, të cilët refuzuan të flasin para kamerës, prapa saj i thanë Kiksit se, pas mbylljes, shkolla është shfrytëzuar për strehimin e bagëtive nga Haki Zeqiraj, shoferi i atëhershëm i ish-kryetarit, Haki Rugova.
Ata thonë se Zeqiraj atëkohë e kishte rrethuar oborrin e shkollës, i cili ruhej nga disa qenë, në mënyrë që askush të mos futej aty.
Mirëpo, këtë nuk e pranon drejtori aktual i arsimit, i cili insiston se këto janë shpifje të kundërshtarëve politikë.
KIKS Kosova ka provuar të kontaktojë me Zeqirajn, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të emisionit.