Këto amanete la Agron Haradinaj para se të vdiste

Të enjten, pas një sëmundjeje të rëndë, ndërroi jetë Agron Haradinaj, vëllai i Nasim Haradinajt, i cili tash e disa vjet po gjykohet në Hagë.

Ai u kërkoi familjarëve që, kur të vdiste, trupin me arkivol, në shoqërinë e miqve, bashkëluftëtarëve e dashamirëve, në rresht me turmën e xhematit, ta dërgonin fillimisht te Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në Gllogjan, aty ku në moshë të re e nisi betejën për çlirimin e Kosovës.

Agroni kërkoi, po ashtu, që familja t’i priste qytetarët për kryeshëndoshë tetë orë në ditë për dy ditë rresht.

“I ka lanë disa porosi në dy-tri pika. Porositë e Agronit kanë qenë më shku deri në Shtabin e Zonës Operative të UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, ku ka qenë edhe trualli i tyre”- rrëfen për Nacionalen Bujari, i afërm i Agronit të ndjerë.

Ai shpjegon edhe se si Agroni e kishte marrë sëmundjen gjatë kohës së luftës.

“Ka qenë një aksion në Prilep, kur atë kohë është bombardu prej aeroplanave serbë. Prej aty, Agroni ka pasur një goditje gogja të madhe prapa kokës. Atëherë nuk është hetuar shumë. Pas disa viteve, Agroni ka fillu me u trajtu si pasojë e telasheve shëndetësore. Ka qenë një sëmundje e rrallë. Kjo sëmundje nuk ka mundur të shërohet gjithkund. Për një periudhë kohore është trajtu kohë pas kohe në Gjermani. Por pastaj është dashtë që të shtrohej në spital, në mjekimin intensiv”- shpjegon Bujari.

E nga familja shpresojnë se Nasim Haradinaj do të mund të jetë i pranishëm për t’ia jetësuar amanetin e fundit vëllait tashmë të ndjerë, Agronit.

“Kemi bërë kërkesë. Po shpresojmë se Nasimi do të mund të vijë në varrim”– tha familja.

Lexo edhe:  Nuk kanë të ndalur vrasjet në Serbi, djali vrau babanë e tij