Gazetari turk rrezikon tre vjet burgim për raportimin rreth tërmetit

Gazetari i pavarur turk, Mir Ali Koçer ishte mbi 300 km larg nga epiqendra kur Turqia u godit nga një tërmet vdekjeprurës më 6 shkurt.

Duke rrëmbyer kamerën dhe mikrofonin e tij, ai arriti me veturë në rajonin e prekur për të intervistuar të mbijetuarit.

Ai ndau në Twitter histori të të mbijetuarve dhe shpëtuesve, dhe tani është nën hetim me dyshimin për përhapjen e “lajmeve të rreme” dhe mund të përballet me deri në tre vjet burgim, raportoi BBC-ja të shtunën.

Ai është një nga të paktën katër gazetarë që po hetohen për raportim ose koment për tërmetin. Grupet e lirisë së shtypit thonë se dhjetëra të tjerë janë arrestuar, ngacmuar ose penguar të raportojnë.

Të paktën 50,000 njerëz vdiqën si pasojë e tërmetit prej 7,8 shkallësh që goditi Turqinë dhe Sirinë. Autoritetet turke nuk kanë komentuar mbi ndalimet.

Natën e tërmetit, gazetari Koçer – i cili është kurd dhe kontribuon në faqet e lajmeve pro opozitës si Bianet dhe Duvar, po pinte duhan në ballkonin e tij në qytetin juglindor të Dijarbakirit, kur dy qentë e tij papritmas filluan të lehin.

Ai menjëherë kujtoi se si kishin lehur ashtu në vitin 2020, disa sekonda përpara se një tërmet më i vogël të godiste Turqinë lindore.

“Ndjeva se po dridhesha. Ndjeja se si po dridhej shtëpia, ndjeva se po dridhej televizori”, ka shpjeguar Koçer.

Ai ishte fshehur nën një tavolinë me qentë dhe më pas kishte dalë jashtë.

Koçer ishte larguar nga Diyarbakiri dhe ishte nisur me veturë për në qytetin e Gaziantepit. Ai u trondit nga skenat e shkatërrimit dhe viktimat që i duruan temperaturat e ulëta në qytete afër epiqendrës së tërmetit.

Lexo edhe:  Dënohet me 24 vjet burgim burri që vrau gruan e tij në Llaushë të Skënderajt

Të paktën 3,000 nga viktimat e tërmetit vdiqën në Gaziantep.

Koçer u prek nga fluksi i vullnetarëve dhe ekipeve të shpëtimit që vinin nga Turqia Perëndimore dhe ai ndau historitë e tyre në Twitter. Disa nga të mbijetuarit i thanë atij se nuk morën asnjë ndihmë për ditë të tëra. Ankesa të ngjashme u cituan nëpër media pro opozitës.

Duke vizituar zonat e prekura nga tërmeti, presidenti Recep Tayyip Erdogan u tha njerëzve se do të rindërtonte qytetet e tyre. Por ai paralajmëroi gjithashtu se ata që përhapin “lajme të rreme” dhe “shkaktojnë kaos social” do të ndiqen penalisht, duke i quajtur ata “provokatorë”.

Koçer ka shpjeguar se ndërsa raportonte nga rajoni i goditur nga tërmeti, policia e Dijarbakirit la një shënim në banesën e tij, duke e udhëzuar të vizitonte komisariatin dhe të jepte një deklaratë.

Në stacion, atij iu tha se po hetohej sipas një ligji për dezinformimin e futur së fundmi. Ai tha se policia e mori në pyetje për raportimin e tij nga epiqendra e tërmetit dhe e akuzoi për përhapje të informacionit të rremë.

Ligji i ri i Turqisë u miratua në tetor. Ai kriminalizoi përhapjen publike të dezinformatave dhe i dha shtetit kompetenca shumë më të gjera për të kontrolluar faqet e lajmeve dhe mediat sociale. Komisioni i Venecias, një mbikëqyrës ligjor i Këshillit të Evropës, tha se ligji do të ndërhynte në lirinë e shprehjes. Partitë opozitare e quajnë atë një “ligj censurë”.