25 vjeçari ia sheh sherrin TikTok-ut, Policia ia bastis shtëpinë pasi postoi video duke shtënë me armë
Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjetin social TikTok shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë.
Ata jo rrallë herë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, ata shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sherrin ia TikTok-ut ia pa edhe një i ri në fshatin Damjan të Gjakovës, i cili përfundoi në Polici si pasojë e një videoje të publikuar ku shihej duke përdorur armë zjarri.
Sinjali mëson se 25-vjeçari i dyshuar kishte publikuar një video ku shihej duke shtënë disa herë në ajër me armë zjarri, pamje këto që vunë në lëvizje Policinë. I dyshuari u identifikua, me ç’rast njësitë policore zhvilluan bastisje në shtëpinë e tij.
Arma e përdorur nga i riu është konfiskuar, teksa me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar si ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’’.