51-vjeçarja në Prishtinë cak i grabitjes, hajni ia vjedh zinxhirin e 700 eurove nga qafa
Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë.
Me një ngjarje të tillë të frikshme është ballafaquar natën e mbrëmshme një grua në lagjen Dardania në Prishtinë.
Sinjali mëson se derisa 51-vjeçarja po qëndronte në një restorant në lagje, një person i panjohur ia ka vjedhur me forcë zinxhirin e arit nga qafa dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur.
Bazuar në dëshminë e saj me rastin e denoncimit të rastit, zinxhiri ka vlerën e rreth 700 euro, teksa ka deklaruar se nuk ka pësuar lëndime trupore gjatë rastit.
Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, i cili sipas ankueses është i moshës rreth 23 vjeç.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.