Katolikët e Kosovës hapen për besimin e fshehur prej kohësh: Ishim myslimanë ditën, të krishterë natën
Në një kishë të vendosur mbi një luginë piktoreske në Kosovën qendrore, Ismet Sopi tregon se si familja e tij e fshehu besimin e tyre katolik për shekuj pas konvertimit në Islam gjatë pushtimit osman të Ballkanit.
Për breza, paraardhësit e tij i mbajtën të fshehta besimet e tyre deri në vitin 2008, kur Sopi dhe familja e tij përqafuan hapur katolicizmin e tyre dhe u pagëzuan së bashku.
“Ne jemi shumë të lumtur. Është sikur të kishim paguar borxhin ndaj paraardhësve tanë që nuk patën mundësinë të përcaktojnë lirisht besimin e tyre si ne,” i tha agjencisë së lajmeve AFP, 65-vjeçari shqiptar nga Kosova, duke thënë se 36 anëtarë të tij tani praktikojnë fenë katolike.
“Deri atëherë jetonim si katolikë të fshehur”, thotë Sopi. “Ne ishim myslimanë ditën dhe të krishterë natën”.
Gazetari në pension tani kalon një pjesë të madhe të ditëve të tij duke studiuar në kishën e sapondërtuar të Shën Abrahamit në Llapushnik të rajonit të Drenicës, afër shtëpisë së stërgjyshërve të tij.
E ndërtuar në tokë të dhuruar nga komuna dhe e financuar nga diaspora shqiptare, ajo ka pamje nga Lugina e Drenicës – një rajon i njohur për rebelim dhe pavarësi. Pikërisht këtu u ndizen shkëndijat e para të ngritjes së shqiptarëve kundër sundimit serb, e të cilat shpërthyen në luftë në fund të viteve 1990.
Vitet e fundit, shumë njerëz e kanë përqafuar hapur katolicizmin në Kosovë, shkruan AFP.
Sopi tha se rreth 120 njerëz nga zona e Llapushnikut janë pagëzuar në Shën Abraham vetëm në dy vitet e fundit.
Por numri i vërtetë i të konvertuarve të rinj është i pamundur të dihet, pohoi ai.